2021.11.24.

Stefan Çapaliku - Pécs

Pecs-i

apo dashuri deri në gjethin e fundit

 

 

1. Rezidencat

 

Rezidencat e mija artistike kanë filluar të bëhen përherë e më të domosdoshme. Por nga ana tjetër dhe si për çudi kanë nisur të bëhen edhe përherë e më të vogla.

Mbaj mend që rezidenca e parë, ku qeshë i ftuar si shkrimtar ishte “Apexart” në New York. Kjo ndodhi më 2008 dhe qyteti qe aq i madh sa nuk të dilte kurrsesi një muaj që ta vizitoje. Kësisoj atje thjesht mbajta një ditar që e quajta “Ditari i New Yorkut” dhe asgjë më tepër. Kjo ndodhi në shkurt të vitit 2008. Drejtori i programit, një artist pamor, Steven Rand, më dha një këshillë që ditën e parë që arrita. Arësyeja ishte e thjeshtë. Unë paskam pas gabuar se i zgjata si dhuratë një antologji letrare timen në anglisht. Lëri librat, më tha ai. Askush nuk ka për t’i lexuar librat e tu. Këtu të gjithë vijnë të promovohen. Janë shumë. Përpiqu të bësh shokë, dhe më la në dorë një listë me adresa emaili të miqve të “Apexart”. Shkruaji këtyre, tha ai, përpiqu të lësh sa më shumë takime, tregoi se pse je këtu dhe mos harro, paguaj gjithmonë ti. Nëse ndonjërin prej tyre arrin ta bësh shok, atëhere do të të kërkojë ai vetë që të të lexojë. Mbaji ato libra. Mos i lësho kot.

Mirëpo në New York nuk ia dola të bëja asnjë shok nga gjithë lista e gjatë e emaileve që Stiven Rand më la në dorë. Librat më mbeten në dorë.

Gjithsesi, me mësimet e New Yorkut, shkova një vit më vonë në Paris. Ky qytet më magjepsi. Patrick Deville një shkrimtar i shquar parisien që drejtonte edhe rezidencën në Saint Nazaire, nuk priste prej meje asgjë. I magjepsur prej monumentalitetit të këtij qyteti, që e shumëfishonte diferencën me qytetin tim, Tiranën, jo vetëm që nuk shkrova asgjë, por druhem se edhe nuk lexova gjësend.

Rezidenca e tretë qe Viena më 2010. Drejtoresha e programit të Kulturkontakt, Annemarie Tuerk vuri re me mjaft vonesë se unë ecja shtrembër dhe se po vuaja nga një herne discale. Këtu në Vienë të paktën e kisha një motiv të fortë për të mos shkruar. E kisha të pamundur të qëndroja në karrigë…

Residenca e katërt qe ajo e Sofies, më 2016. Rezidenca gjendej në mesin e një pylli të shekullit të XIX, të quajtur Borisova Gradina. Ishte një vilë, i zoti i së cilës, një piktor bullgar ia kishte dhuruar shtetit mbas vdekjes së vet. Vila gjendej diku afër vendqëndrimit të Peter Danev, thëmëluesit të “Vëllazërisë së bardhë”[1]. Aty shkrova vëllimin e parë të romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, një libër minimal, dicka me pak se 200 faqe.

E pesta rezidencë ishte ajo e Barit, në Itali më 2017. Ajo gjendej në bregun e detit Adriatik dhe brenda një kuvendi vincensian, të mbushur me verëra “Primitivo di Manduria”[2] dhe ushqime të lloj llojshme, që sajoheshin cdo ditë të freskëta nga dy zonja, kuzhiniere të zonjës. E megjithëatë, edhe pse i gjendur midis këtyre tundimeve, detit, ushqimit dhe pijes, ia dola të shkruaja vëllimin e dytë të “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”. Vëllimi i dytë qe pak më i madh se i pari

Residenca e gjashtë ishte ajo e Splitit në Kroaci, më 2018. Këtu plani ishte më konkret. Do shkruaja vëllimin e tretë të “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”. Dhe vëllimi i tretë doli më i madh se i dyti, aq sa Spliti është më i vogël se Bari.

Dhe residenca e shtatë, kjo e Peçit në Hungari, tani në Nëntor të vitit 2021. Këtu jam në përfundim të punës për romanin tim më të ri “Requiem”, kushtuar jetës së një prej kompozitorëve më të talentuar dhe me fatkeq shqiptar. Vepra duket qartazi se po del jo vetëm më e gjatë se ato të tjerat, por në mendjen time edhe më e rëndësishme.

Pra në një farë mënyre, kështu si rastësisht po kuptoj se sa më shumë zvogëlohen vendet ku gjenden residencat, aq më të mëdha bëhen veprat. Kësisoj kam menduar se nëse do të më duhet të shkruaj një vepër me të vertetë të madhe, atëhere vendi ideal do të qe burgu. Mirëpo për të realizuar këtë, sic dihet duhet të kryesh një krim dhe meqënëse nuk po më del koha të bëhem kriminel, atëhere veprës së madhe do i duhet të presë.

 

 

2. Hungaria

Në përgjithësi ne shkrimtarët kemi dy vese të pariparueshme: nuk lexojmë kurrë njeri tjetrin dhe në të njëjtën kohë i mburremi njeri-tjetrit për rezidencat, festivalet dhe panairet ku kemi marrë pjesë. Dhe kjo ndodhë gjithmonë mbasi që kthehemi prej tyre.  

Kështu u bë edhe me mua. Njëri prej kolegëve shqiptarë që kishte qenë më parë në Pecs më foli për rezidencën e këtyshme. Ai më dha aq pak informacione, saqë më bëri padashje kurioz.  

Në fakt tregimet për Hungarinë kanë qenë kaq të shpeshta në shtëpinë time sa që më dukej sikur kisha qenë më parë. Daja im, doktor Thoma Dardeli, kishe studiuar në Budapest në vitet 1951-1956. Kur shpërtheu revolucioni ai ishte student i vitit të fundit të mjeksisë dhe nuk iu përgjigj thirrjes së ambasadës shqiptare për t’u strehuar atje. Gjatë ditëve të revolucionit, së bashku me të fejuarën e vet shqiptare, studente e farmacisë u bënë pjesë e grupeve që mjekonin të plagosurit gjatë orëve të armpushimit.

Daja im qe i dashuruar me Hungarinë dhe nuk linte vend pa e shprehur këtë. Mirëpo kur u ktheyn në Shqipëri, tashmë ai mjek dhe ajo farmaciste, punët në çift nuk po funksiononin si duhet. Kësisoj ata vendosën të divorcoheshin. Mirëpo tamam në gjyqin për divorc, zonja e tij, i tha gjykatësve se kishte ardhur këtu të ndahej nga një armik i betuar i komunizmit, pjesmarrës aktiv në “Kundërrevolucionin hungarez të 1956-ës”[3]. Kësisoj dajës i vunë pranga në vend dhe e dënuan aty për aty me dhjetë vite burg. Interesant mbeti fakti se daja im nuk e mohoi kurrë pjesmarrjen e vet në këtë lëvizje.

Lidhja e dytë me Hungarinë kishte pasur vinte sërish nga dy komshinjtë e mi në Shkodër Ndrek Bazhdari dhe Nikolin Pavaci, të cilët aso kohe kishin qenë maturantë në Liceun Artistik dhe kishin hedhur trakte për të informuar popullin shqiptar se cfarë po ndodhte në Hungari. Asnjë lajm në gjuhën shqipe rreth revoulucionit nuk transmetohej. Kësisoj këto djelmosha dëgjonin lajme te radiot italiane, i përkthenin dhe i shkruanin në formë traktesh për të informuar sa të mundnin se ç’po ndodhte në Hungari. Të dy këto qenë dënuar me nga shtatë vjet burg secili. Pra gjithsesi deri atëhere askush ndër ne nuk ia kish parë hajrin Hungarisë.    

Por gjithsesi, burimi i pashterrshëm rreth Hungarisë mbeti daja. Daja, kur doli nga burgu në vitin 1970 më gjeti 6 vjeç. Ai kishte shprese se do të më mësonte hungarishten. E nisi me disa fjalë të thjeshta dhe mbasi e pa që nuk kishte gjë në terezi, atëhere me kalimin e viteve nisi të më fliste për Hungarinë më shumë në pikpamje kulturale. Mbaj mend se kishte pas sjellë me vete dy gjësende kontradiktore, fotografinë e futbollistit të famshëm Pushkash si edhe një disk me një këngë të çuditshme që e vendoste shpesh në gramafonin e shtëpisë. Ishte “Gloomy Sunday” e Laslo Javor[4].

Kur unë u bëra adoleshent, u rrita disi, hyra në gjimnaz, daj më tha pershembull se në Hungari kur do të takosh një vajzë, fillimisht duhet t’i thuash “csókolom”[5]. Po në qoftëse ajo nuk ndalon, e pyesja unë. Atëhere thoshte ai, vajzave dhe tramvajit mos i shko mbrapa se vjen tjetri, dhe qeshte me të madhe.

  

 

3. Pecs-i

Me të hyrë në kontakt me Karoly Mehes, drejtorin e programit të rezidencës për shkrimtar në Pecs, nisën edhe interesimet e mia paraprake për Pecs-in. Fillimisht mësova se fjala “Pecs” në gjuhën shqipe mund të artikulohej si “Pejë”, domethënë si emri i qytetit shqiptar në veri të Kosovës.

Pastaj si çdo kush tjetër që kërkon informacione bazike u futa në Ëikipedia dhe lexova ata pak sende që shkruheshin aty. Vetëm kur hapa hartën digjitale mbeta i impresionuar kur mësova se Pecs ishte një qytet pa lumë dhe pa asnjë liqen përbri. Nuk e di sepse imagjinata ime është mësuar që ta vendosë një aksh qytet rreth një lumi apo bri një liqeni. Kultura e lumenjve në Shqipëri është evidente. Kështu ndodhë me Shkodrën, me Tiranën, me Beratin, me Gjirokastrën etj, etj.

Kur zbrita në Budapest dhe u shfaq me makinën e tij miku im tashmë, Karoly Mehes, i cili bujarisht do më shoqëronte deri në Pecs, vura re me kujdes gjatë gjithë rrugës pejsazhin. Më dukej vetja se po udhetoja si një milingonë mbi një rriske të madhe buke, krejtësisht të sheshtë. Toka të bukura, të punuara në të dyja anët e rrugës, edhe ato të sheshta, dhe zabele me pemë, gjithashtu të mbjedha në fushë. Asnjë fshat, askund…

Kujtoja pastaj vendin tim me një reliev thellësisht të thyer, me një asimetri absolute dhe mendoja se si mund të ketë ndikuar edhe në karakteret njerëzore ky diversitet pejsazhi. Ndërkohë Karoli në timon i priste pyetjet e mia me një qetësi absolute dhe i shoqëronte përgjigjet e tij inteligjente me një buzëqeshje prej fëmije. Kishte një farë misteri që e shoqëronte të gjithë udhëtimin tonë në atë të hënë të datës 1 nëntor të vitit 2021. Më kishte kapur një mister paqësor.

Kur arritëm në Zsolney Quartier[6], ku është e vendosur edhe residenca, u binda se kisha hyrë në një realitet të ri dhe pa asnjë parashikueshmëri. Horizontet e mia të pritjes u rrëzuan krejt. Karoly më tregoi sesi i çasesh qytetit, që gjendet krejt afër “Zsolney”. Kishte mbetur edhe ndonjë orë dritë natyrale. Lashë valixhet te dhoma ime dhe dola.    

         Rrugës përpiqesha të kuptoja ndonjë fjalë të shkruar në tabelat e dyqaneve, por gjithçka qe e pamundur. Vetëm tre-katër fjalët e mësuara nga daja kur qeshë fëmijë lundronin në trurin tim: “tudom magyarul?”[7], “nem tudom magyarul”[8]. Dhe kaq të pakapshme më vinte kjo gjuhë, sa ndjeja se ishte hera e parë në jetën time, kur nuk po turpërohesha të thoja se nuk di diçka. 

         Atëhere m’u kujtua sërish daja kur më tregonte se kishte ardhur këtu në fund të gushtit të vitit 1951 dhe në fund të dhjetorit kishte arritur të jepte provim në hungarisht.

         Kur hyra në qytetin e vjetër kuptova se isha kthyer në kohë. Trashëgimia e Hapsburgëve[9] shtrihej sa gjërë gjatë. Një trashëgimi e mrekullueshme. Qyteti ku kam lindur unë, Shkodra[10], vetëm dy rrugë ka të tilla dhe krenohet. Këtu Shkodra qe e dhjetëfishuar.

 

        

4. Zsolney

Në Zolney vjeshta mbretëron më shumë se në asnjë cep tjetër të qytetit. Si duket qeramika i evidenton edhe më shumë dekadencën e pemëve me gjethet e lëshuara për tokë. Ka dicka prej floriri në dritën që sundon në oborret e Zolney. Vecanërisht po të shikosh nga dritarja e dhomës sime. Sepse mua më duket sikur vetëm nga dritarja e dhomës sime duket vjeshta ime. Është një pemë aty përpara dritares që kujtoj se ka nisë t’i lëshojë gjethet që ditën që erdha. Tani ajo vazhdon t’i lëshojë në mënyrë edhe më intensive. Kam rënë në dashuri me të. Duket si një dashuri që do vazhdojë deri në gjethin e fundit…

Në ditët e para, këtu në Zsolney gjendeshin përpara pemës një rrjesht figurash njerëzore prej qeramike. Pastaj një mëngjes disa njerëz erdhën dhe i mbështollen monumentet prej qeramike. Disa i mbështollen me plastmas e disa të tjera i paketuan krejtësisht nëpër disa kuti të mëdha prej druri. Mbi to pastaj vunë disa imazhe të punëve që ishin brenda si dhe ca tekste. Kësisoj e gjithë situata u kthye në art konceptual. Imazhi i imazhit të imazhit më çonte kësisoj te “Republika” e Platonit, te libri i dhjetë, kur ai flet për panevojshmërinë e artit, si një kopje e zbehtë e kopjes së zbehtë të ideve.

         Por ndodhë që këto ditët e fundit të qëndrimit tim në Zsolney, që statujat e mbështjella me plastmas të ngjajnë edhe me penise të mbështjellë me prezervativ. Kjo madje e bën edhe më mashkullor Zsolney-in.

 

5. Rreth e rreth Pecsit jam sjellë

         Tamam aty ku kryqëzohet rruga Kiraly me rrugën “Szent Mor” gjendet një flamur shqiptar përbri flamurit hungarez dhe flamurit të qytetit të Pecs. Çfarë surprise! Ndalem. Poshtë saj një pllakë që sqaron se këtu gjendet përfaqësia konsullore e Republikës së Shqipërisë. Mua kaq më duhet dhe nis hetimet e mia. I bëj një telefonatë një mikut tim që punon në Ministrinë e Punëve të jashtme në Tiranë dhe ai më informon se paskemi një konsull nderi, që jeton në Budapest, por që ka edhe një zyrë përfaqësimi në Pecs. Quhet Avnija Hafuzi dhe më nis edhe numrin e tij të telefonit.  

Avnija Hafuzi është një zotëri shqiptar që ka ardhur në Hungari që në vitin 1977. Aventura e rinisë së tij është shumë filmike. Një djalosh student në universitetin e Shkupit që nuk pranon të rekrutohet ushtar për ushtrinë e Titos dhe ia mbath në Itali. Përson intuitiv dhe inteligjent, prej atyre që dinë të pyesin dhe të dëgjojnë, merr këshillën e një miku të vet më të moshuar, që i thotë se vendi më i mirë për t’iu fshehë UDB-së[11] jugosllave që do t’a kërkonte si dezertor, nuk do ishte një vend i Përëndimit, por i Lindjes. Në Përëndim, i thotë miku, UDB është shumë e pranishme, do të të kapin. Në Lindje, nuk i shkon mendja njeriu. Dhe Avnija Hafuzi vjen në qytetin më të bukur të të gjithë Lindjes, Budapest. Avni Hafuzi bie në dashuri dhe martohet me një zonjë hungareze, me të cilën ka pesë fëmijë. Që prej vitit 1993 ai ka hapë një agjensi doganore dhe prej vitit 2010, për kontributin e tij të shquar në shërbim të marrënieve shqiptaro-hungareze, emërohet konsull nderi i Republikës së Shqipërisë.

Takimi me të shënoi edhe një tjetër ngjarje të rëndësishme për mua këtu në Pecs. Me datë 9 Nëntor së bashku me Avninë vendosëm një kurorë në varrezat militare të Pecs, ku gjenden edhe eshtrat e disa ushtarëve shqiptarë të vdekur në spitalin ushtarak në Pecs-it në vitet 1916-1919.

         Atë darkë Avni Hafuzi më prezantoi një tjetër zotëri shqiptar këtu në Pecs, Iljaz Cenaj, i cili erdhi të na takojë edhe më një asistentin e tij, Mithat Çollakun.

         Iljaz Cenaj është një zotëri elegant dhe shumë energjik, më një intuitë të jashtzakonshme në fushë të biznesit, i cili ia ka dalë të hapë këtu në Pecs rreth pesë dyqane të mëdha bukëpjekësisht, ëmbëlsirash, picash dhe byrekësh. Rrjeti i dyqaneve të tij quhet “Europa pekseg”. Iljaz Cenaj është nga krahina e Hasit të Kosovës dhe ka rreth 20 vite këtu në Pecs. Një pjesë e mirë e fitimeve të këtij biznesmeni simpatik kanë shkuar për të financuar shkollimin e tre djemve të tij, që tashma janë diplomuar të gjithë për mjeksi. 

         Në Pecs, në të dyja krahët e Teatrit Nacional mund të takosh edhe dy shqiptarë të tjerë. I kam njohur ashtu rastësisht dhe pa pasur asnjë informacion për to. Të dy këto zotërinj vijnë nga trevat shqipare të Maqedonisë së Veriut. Njëri quhet Basri Zejnullahu dhe është nga rrethinat e Tetovës dhe tjetri është Taxhedin Shabani dhe ka origjinën nga rrethinat e Gostivarit. Ajo që i bashkon këto dy zotërinj është mjeshtria e prodhimit të ëmbëlsirave dhe emrat italianë që kanë bizneset e veta. I pari tregton veç akullore dhe ia ka vënë shitores së vet emrin “Gelateria Venezia”, kurse i dyti përveç akulloreve dhe ëmbëlsirave bën edhe një ekspreso të mirë “Illy”, që ma ka ofruar bujarisht çdo ditë që jam gjendur në qytet. Lokali i tij quhet “Bella ciao”.

 

6. Me njerëzit e Pecs-it

         Megjithëse unë kam ardhur të rri vetëm, sepse përndryshe misioni im letrar do të ishte i pamundur, prapëseprapë miku im hungarez Karoly Mehes kujdeset që të më largojë merzinë, duke më takuar me kolegë vendas.

         Të tillë janë profesori i dramës Petër Muller, regjisori i teatrit Ivan Funk dhe publicist Zoltan Agoston. Që të tre këto zotërinj i ka bërë bashkë drama ime “20 vjet, 2 javë dhe 2 ditë”, e cila i kushtohet ngjarjeve të reavolucionit hungarez, dajës sim, dhe në përgjithësi raporteve të brezit të ri me të kaluarën e përbashkët komuniste.

         Të tre këto zotërinj e kanë lexuar dramën time në gjuhën angleze sepse është shumë e vështirë të gjesh në Hungari një njeri që di të përkthejë nga shqipja në hungarisht. Zoltán László[12] dhe Istvan Schultz[13] kanë vdekur. Ish ambasadori hungarez që shërbeu për vite të tëra në Tiranë, shkelqësia e tij Ferenc Poka, ka humbur të gjitha gjurmët, kështu që anglishtja mbetet lingua franca[14] për t’u kontaktuar edhe letrarisht     

         Kësisoj unë mbetem në pritje të organizimit të një leximi skenik apo në rastin më të mirë të një produksioni hungarez të dramës sime për Hungarinë.

         Ndërkaq më duhet të shkoj edhe në teatër. Teatri është gjysma e jetës sime. Prof. Petër dhe Ivan vihen në dispozicionin tim me informacione dhe me bileta.

         Një trupë hungareze gjermanisht folëse ka ardhur nga Szegzed për të dhënë në Pecs “Pulbardhën” e Çehovit. E dua atë pjesë të mrekullueshme ndaj dhe shkova me një frymë në Teatrin e Universitetit, që është ngjitur me rezidencën time, këtu në Zsolnay. Eva Radnai, një vajzë që di të buzëqeshë bukur, asistentja e drejtorit të Teatrit, më priste me një biletë në dorë të porositur nga Peter.

         Pjesa e Brody Sandor “A tanitono” e vënë në skenë nga Ivan Funk jepet te salla e vogël e Teatrit Kombëtar. Mallkoj veten që nuk di hungrisht. Arrij të kuptoj si një fëmijë, që ndan të mirin dhe të keqin dhe lexoj si një i rritur tensionin e brëndshëm dramatik të karaktereve.

Mbas shfaqjes marr në këmbë rrugën për në shtëpi. Ka rënë errësira. Një hënë e madhe e argjendtë ka dalë madhështore këto ditë. Qyteti është i ndriçuar butë. Nuk dëgjohet asnjë zhurmë. Qyteti përkundet si një anije e ankoruar në një gji të mbrojtur nga erërat.

 

7. In vino veritas[15]

Kisha dëgjuar prej shumë burimesh për verërat hungareze e sidomos për verërat e bardha. Dhe, me thanë të drejtën, një prej qëllimeve të ardhjes kishte qenë edhe zbulimi i disa shijeve të panjohura. Por gjithashtu kisha marrë me vete edhe një legjendë që qarkullonte nëpër Shqipëri se ushtarët hungarezë, që kishin ardhur në Shqipëri në vitet 1916-1918 kishin marrë me vete dhe kishin kultivuar në Szegsed rrushin e famshëm shqiptar “Kallmet”. Dhe meqënëse ushtarët hungarezë ato dy vite e kishin pasur qendrën në Shkodër, ku edhe sot e kësaj dite kemi një lagje që e rrërrasim “Magjar”[16] atëhere emri i verës që prodhohet prej atij rrushi duhet të kishte emrin e vendit të origjinës. Dhe e gjeta, “Kadarka”.

Kadarka kjo verë e kuqe e njohur në gjithë Hungarinë mban emrin sllav të qytetit: “Skadar” ose “Skadarka” kur përdoret si mbiemër. Janë të gjitha gjasat që gjuha hungareze ta ketë flakur tej këtë bashktingëllore nistore “S” dhe të ketë prodhuar këtë emër tingëllues “Kadarka”.

“Kadarka” për më tepër është një verë për të cilën zbulova se ekziston edhe një këngë, tekstin e së cilës e kam shkruar në një copë letër dhe po përpiqem që ta mësoj përmendësh tek kthehem për në shtëpi, rrugicave poetike të Pecs-it.

 

Duhet vetëm një litër Kadarka

që burri të mos çaj kokën për asgjë

Pini ujë, por do dilni humbës

Nuk mund t'iu ndalim për këtë.

 

Jeta është e bukur, nëse s’e çan kokën për të

Dhe kur ka njëqind litra Kadarka në fuçi

Por duhet vetëm një litër Kadarka

që burri të mos çaj kokën për asgjë[17]

 

 

 

 

 

 

 

Stefan Çapaliku

Pecs, 21.11.2021

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 



[1] White brotherhood
[2] Vere e kuqe e forte qe prodhohet ne Manduria te Puljias
[3] Kësisoj thirrej aso kohe nga autoritetet komuniste revolucioni
[4] Kompozitor I këngës së famshme të konsideruar si kënga e vetvrasësve.
[5] Hugarisht: ju puth.
[6] Lagjia kulturore e qytetit e ndërtuar në fabrikat e qeramikës së themeluar nga familja “Zsolney”
[7] A dini hungarisht?
[8] Nuk di hungarisht
[9] Perandorise austro-hungareze
[10] Qytet ne Veri te Shqiperise
[11] Sherbimi sekret jugosllav
[12] Albanolog hungarez. (1881–1961). Autor I fjalorit të parë hungarisht shqip (1913)
[13] Albanolog hungarez (1923-2010)
[14] Gjuha e përbashkët
[15] Nga latinishtja: Te vera është e verteta.
[16] Varianti shpib i fjalës “Magyar”, hungarez
[17] Csak egy liter kadarka kell

Hogy az ember ne törődjön semmivel

Igyál vizet, majd ráfizetsz.

Hisz az embernek megtiltani nem lehet

 

Úgy szép az élet, ha semmi se zavarja

Van még a hordóban száz liter kadarka

Csak egy liter kadarka kell, hogy az

Ember ne törődjön semmivel és senkivel.